Vaksinimi i çrregullt "catch-up"
Vaksinimi vaksinimi i çrregullt (catch-up) i referohet administrimit të vaksinave për fëmijët që nuk kanë ndjekur kalendarin e rregullt të imunizimit dhe kanë humbur një ose më shumë doza në moshën e rekomanduar për arsye të ndryshme. Qëllimi i këtij procesi është plotësimi i skemës së vaksinimit, rritja e mbrojtjes individuale dhe kolektive, si dhe parandalimi i shpërthimeve të sëmundjeve të parandalueshme me vaksinë. Ky proces kërkon një angazhim të madh nga ekipet e vaksinimit, të cilat me përkushtim identifikojnë dhe synojnë imunizimin e fëmijëve që për arsye të ndryshme kanë shtyrë vaksinimin në kohën e duhur.
Raporti paraqet analizën e të dhënave të vaksinimit catch-up për fëmijët e grupmoshës 24–59 muaj, duke u fokusuar në vaksinat HepB, DTaP-IPV-Hib, PCV dhe MMR.
Dozat e vaksinave të administruara "catch-up"
Vaksina MMR paraqet numrin më të lartë të rasteve catch-up (2868), duke treguar një nivel të konsiderueshëm të vonesës në administrimin e saj. Krahasuar me vitin e kaluar, ku mbulueshmëria për dozën e parë MMR, PCV, dh rivaksinimin e parë (DTaP-IPV-Hib R1) ishte më e ulët, të dhënat e këtij viti tregojnë se fushata catch-up është realizuar me sukses: ekipet e vaksinimit kanë identifikuar dhe vaksinuar një numër të madh fëmijësh që kishin shtyrë vaksinimin. Kjo reflekton angazhimin efektiv të ekipeve dhe përmirësim të mbulueshmërisë me vaksinim në grupmoshën 24–59 muaj.