Indikacionet

Vaksinimi kundër gripit

Përbërja e vaksinës rishikohet dhe përditësohet çdo vit pasi virusi i gripit ndryshon vazhdimisht. Konsideratat përfshijnë se cilat viruse të gripit po shkaktojnë sëmundje, shkallën në të cilën viruset po përhapen dhe sa mirë mbron vaksina e sezonit të kaluar kundër këtyre viruseve. Vaksina katërvalente përmban katër virus të inaktivizuar: tipi A(H1N1), tipi A(H3N2) dhe dy tipe B. Fillimi i dhënies së vaksinës është fundi i shtatorit dhe fillimi i tetorit deri në fund të muajit maj të vitit të ardhshëm. Sipas rekomandimeve të OBSh, vaksinën kundër gripit duhet t’a marrin të gjithë personat nga mosha 6 muaj pavarësisht gjendjes shëndetësore të tyre. 

Grupet e rrezikut
Fëmijët mbi 6 muaj me imunitet të dobësuar, personat e moshës 65 vjeç e lartë, personat me çrregullime kronike (pulmonare ose kardiovaskulare, renale, hepatike, neurologjike, hematologjike ose çrregullime metabolike), personat me imunitet të kompromituar, gratë shtatzëna, personat e moshës 6 muaj deri në 18 vjeç që marrin aspirinë ose medikamente që përmbajnë salicilate dhe që mund të jenë në rrezik për të përjetuar sindromën Reye pas infeksionit me virusin e gripit, personeli në shtëpitë për të moshuar, personat me obezitet ekstrem (indeksi i masës trupore BMI është 40 ose më i lartë), stafi profesional dhe mbështetës në Institucione shëndetësore, kontaktet familjare dhe kujdestarët e fëmijëve nën 5 vjeç dhe të rriturve të moshës 65 vjeç e lartë dhe kontaktet familjare dhe kujdestarët e njerëzve me kushte mjekësore që i vënë ata në rrezik të shtuar për sëmundje të rënda nga gripi.

Orari i vaksinimit dhe përdorimi
Gripi mund të fillojë në fillim të tetorit dhe të zgjasë deri në fund të prillit ose majit, por më së shpeshti arrin kulmin në janar. Për të siguruar mbrojtje maksimale, vaksinimi duhet të bëhet përpara fillimit të përhapjes së gripit në komunitet. Vaksina kundër gripit administrohet me injeksion intramuskular dhe mund të administrohen në të njëjtën ditë  me vaksina tjera të inaktivizuara ose vaksinave të gjalla. 

Imunogjeniteti dhe efikasiteti i vaksinës
Për qëllime praktike, kohëzgjatja e imunitetit pas vaksinimit kundër gripit është më pak se një vit për shkak të zbehjes së antitrupave të shkaktuar nga vaksina dhe zhvendosjes antigjenike të viruseve të gripit qarkullues. Efektiviteti i vaksinës së gripit varet nga shumë faktorë duke përfshirë ngjashmërinë e shtameve të vaksinës me shtamet që qarkullojnë, moshën dhe gjendjen shëndetësore të marrësit dhe llojin e vaksinës së administruar. Vaksinimi është efektiv në reduktimin e rrezikut të sëmundjes së gripit me 40% deri në 60% në popullatën e përgjithshme kur shtamet e vaksinës dhe viruset qarkulluese janë të ngjashme. Megjithatë, vaksina mund të jetë më pak efektive në parandalimin e sëmundjeve tek personat 65 vjeç e lartë. Studimet kanë demonstruar një sërë përfitimesh nga vaksinimi i gripit, duke përfshirë më pak: sëmundje, vizita mjekësore, hospitalizime. Vaksinimi i gripit është shoqëruar gjithashtu me rezultate pozitive për njerëzit me sëmundje kronike shëndetësore dhe gratë shtatzëna.

Kundërindikimet dhe masat paraprake ndaj vaksinimit
Historia e reaksioneve të rënda alergjike (anafilaksi) ndaj një komponenti të vaksinës ose pas një doze të mëparshme është kundërindikacion për doza të mëtejshme. Sëmundja akute e moderuar ose e rëndë (me ose pa temperaturë) konsiderohet si masë paraprake ndaj vaksinimit, megjithëse personat me sëmundje të lehta mund të vaksinohen. Historia e sindromës Guillain-Barré brenda 6 javëve nga marrja e vaksinës së gripit është masë paraprake për vaksinimin kundër gripit.

Siguria e vaksinës
Studimet mbështesin sigurinë e vaksinimit vjetor tek fëmijët dhe të rriturit. Reaksionet lokale janë reaksione anësore të zakonshme. Këto përfshijnë dhimbje, skuqje, ënjtje në vendin e injektimit. Këto reaksione janë kalimtare, zakonisht zgjasin 1 deri në 2 ditë. Simptomat sistemike jospecifike, duke përfshirë ethe, të dridhura dhe mialgji, shfaqen më rrallë. Këto simptoma zakonisht shfaqen tek ata që nuk kanë ekspozuar më parë ndaj antigjeneve virale në vaksinë. Simptomat zakonisht ndodhin brenda 6 deri në 12 orë pas vaksinimit dhe zgjasin 1 deri në 2 ditë.

Vaksinimi gjatë shtatzënisë
Gratë shtatzëna janë në një rrezik të shtuar për sëmundje të rënda dhe komplikime nga gripi për shkak të ndryshimeve në funksionin imunologjik, të zemrës dhe të mushkërive. Përveç kësaj, disa studime sugjerojnë se infeksioni i gripit është i lidhur me lindjen e parakohshme dhe vdekjen e fetusit. Vaksinimi mund të bëhet në çdo kohë gjatë shtatzënisë, para dhe gjatë sezonit të gripit.

Ruajtja dhe trajtimi i vaksinës
Vaksinat e gripit  duhet të ruhen në temperaturë ndërmjet 2°C dhe 8°C.